Dielli i një qielli tjetër

11 Janar, 2021 - 8:16 pm

Poezi nga Xhevdet Bajraj:

Pas një nate
në tokën ku vazhdojnë të çelin lulet e fëmijërisë
ku vazhdojnë të kalben ëndrrat
mes lisave të përgjumur
fillojnë të zgjohen sorrat
dhe dielli i një qielli tjetër
(nën të cilin kuptohet
se ka shumë më tepër mënyra për të vrarë
sesa për të bërë dashuri)
Një burrë
derisa po kthehej në shtëpi
nga turni i natës
ndeshet në park
me një prostitutë lakuriq
të vdekur
që kishte të tatuazhuar në kërdhokull
emrin e një shqiptari nga Kosova
E gjora
nuk i kishte dy javë
që kishte dalë nga përralla / KultPlus.com

Të ngjajshme