Djersitem

1 Korrik, 2022 - 9:45 pm

Poezi nga Arbër Selmani

Çka bëj unë tërë ditën, çdo ditë?
Djersitem
secili burrë brenda meje është i bërë qull
secila grua brenda meje çurgon e djersitur
në klimaks
e mpirë prej menstruacioneve,
por kujt i ha palla
kur asnjë njeri nuk më lë të fundosem?

Vazhdimisht më duhet të piqem nën lëkurë
mëngjes e pasdite me një tabletë antihistaminë
gjëndrra të mëdhaja
punë e ‘palodhshme’
ku të ulem kur nuk ka karrige
tjegull pas tjegulle
derdhem, pluskoj, o pellg bre jam, pellg prej frike
jam mjaftueshëm lodhshëm, o dhjefsha në arkitekturë
t`u plastë shpirti kapitalizëm, damlla t`raftë diktaturë
ty sheficë që je grua, edhe ty shef që je pis burrë.

Djersitem kur punoj në pikun e verës, në varreza
djersitem që as një ulëse nuk ma jep, askush
di me qenë e buzëqeshun, di me qenë prush
fatbardhë e pres një shuplakë në kofshët e mia
sa punoj për rrogë, aq punoj për apetitet e tjetrit, apetitet e tia.

Djersitem
duke e la nanën, vëllaun, motrën, bulëza uji më vijnë nëpër fytyrë
A jetë i thonë kësaj?
spec djegës i kuq më duket vetja, në fund të ditës, në pasqyrë.

Një person në Klinë vdiq në vendin e punës

Një i vdekur në Minierën e Trepçës
Ka vdekur një punëtor në vendin e punës në Prishtinë

Çka bëj unë tërë ditën, çdo ditë?

Ndërroj të brendshmet, mundohem, mustaqet më kruhen prej sikleti
më vjen i ithtë kaftjalli, më duket pafundësisht i zagushishëm qyteti
me fëmijët s’më shkon muhabeti
fustani më ngjitet për trupi
sigurimi shëndetësor nuk ekziston
bereta më shtrëngon, më asfikson
pushimin e verës, të lehonisë, pushimin që më takon se dua të vdes
zotëri kapadaiu nuk e aprovon, nuk e konfirmon.

Merreni me mend çka lexuan sytë e mi!
…djersa e punëtorit është më e vlefshme se parfumi i dembelit…
Absurde!

50 herë në ditë më hyjnë në hak
krejt këta zullumqarët e krejt sistemeve
fatpreme
hajde gjoksin prekma, takikardinë ndjema
litrën e djersës vrema.

Ta dhjefsha emancipimin, orët jashtë orarit, vdekjen gjatë orarit
Të lumtë,
nuk jam punëtori yt më i mirë, jam skllavi yt dorëshlirë.

Të fundit

Të ngjajshme