Do të jetë mëngjes e unë do të vij patjetër

13 Tetor, 2019 - 7:46 pm

Nga Dritëro Agolli

Do të jetë mëngjes e unë do të vij patjetër.
Mbi xhaketën time do të kenë rënë petale
Nga lulet e kumbullës së vjetër,
Nga lulet e thanës së thartë.

Aherë ti s’do të jesh zgjuar akoma.
Unë do të them emrin tënd në xhame
Dhe do të vërshëllej të dashurën këngën tonë:
“Ti çele herët, moj bajame!”

Do vërshëllej ngadalë-ngadalë
E s’do prish gjumin tënd të bukur.
Do bien mbi mua petale
E do ulet në sup një flutur…

E, kur sytë të hapësh, do të shohësh
Romantikun e përjetshëm në xhame
Dhe këngën e dashur do njohësh:
“Ti çele herët, moj bajame!”

Të ngjajshme