Dritarja me batanije

24 Mars, 2019 - 9:30 pm

Poezi nga Sibel Halimi

Kam jetu në kohën 
kur ditën arsimtarin e batit e kam dëgju në klasë 
e të shtunave në ditë tregu 
tezgës së tij iu kam ofru m’ia ble mollën e kuqe

Kam jetu në kohën 
kur fustani më grimcohej nga gozhdat e bankave 
të shkollave shtëpi

Kam jetu në kohën 
kur shkrinim sheqerin dhe bënim sheqerkën tonë

Kam jetu në kohën kur tymin ia shihnim fshatit
E ne rrinim e këqyrnim seri

Kam jetu në kohën 
kur lajmin e dëgjonim nga gramafoni grunding 
Si ta prisnim lirinë

Kam jetu në kohën kur 
Me fol ishte me vra 
E me këndue elegji

Kam jetu në kohën 
kur librezat “jugobanka” ngjyrë kaltër 
Në tavolinën tonë na sjellnin mëngjesin

Kam jetu në kohën 
E dorës së zezë 
e natën dritaret i mbulonim më batanije

Kam jetu në kohën
kur lindte një fëmijë 
Njeri quhet pushkë e tjetri mallkohet

Kam jetu në kohën 
kur laheshin vetëm të dielave 
E në Shëngjergj mbushnim vaskat me lule
Me e thirrë mirësinë e me tremb të keqen

Kam jetu në kohën 
kur në vend të filmave vizatimor 
numëronim trupat të plandosur për toke
në gra, burra e fëmijë

Kam jetu në kohën 
kur koha nuk kishte orë
E hapësira kishte veç një kuptim
Arnimin e paqes

Të ngjajshme