Dua…

23 Maj, 2022 - 11:02 am

Agron Elezi

Dua?
Dua thjeshtë të shoh, jo kinse të kuptoj
dua të preki, jo kinse të imagjinoj
dhe nuk dua më kinse të studioj
nuk i dua gënjeshtrat e vërtetësisë
edhe nga ato më të arsyeshmet

Çka dua?
Dua të kem zemrën aq të gjërë
sa t’mund të marr frymë
pafundësisht dhe aq thellë
sa të mund të përthekoj dhe shijoj, ah…
atë thjeshtësi të pakapshme të madhështisë

Çka nuk dua?
Nuk dua të shkruaj dhe të jem poet.
Dua që kjo poezi e pakuptim moderne
kthyer në përsiatjet e shizofrenisë personale
që ejakulojnë papushim dhe paturp
të fryra dhe nxitura nga kritikët e korruptuar
të mbyllen përfundimisht në azilumet jashtëtoksore

Çka dua në të vërtetë unë?
Dua të gjejë të bukurën time të dheut
të çaj virgjërinë e trëndafilit të dalldisë
të zhytem i tëri në vorbullin e dashurisë
të futem me tërë qenien në atë bukuri
të dëgjoj ulërimën e saj prej luaneshe
t’i rrahi vithet e ëmbla afrodiziake
ta shkundulloj dhe më pastaj përqafoj
t’i fus kthetrat e mia prej bishe në tulin e saj
t’i puthë e përthithi buzët përvëluese
deri sa të shkrihemi në llavën eruptive çliruese

Çka dua akoma?
Dua që edhe ana e keqe të jetë e pastër
të jetë vërtetë e keqe dhe e tmerrshme
mirëpo e dëlirë nga të fëlliqurat
nga kundëmimet e pabërballueshme
nga zorrët industriale të truve të kalbura

Çka dua akoma më shumë?
Dua të kthehem prapa
T’i bëjë bashkë paraardhësit e mi
të shpëtoj të ardhmen e tyre
të shpëtoj të sotmen time.

Çka dua akoma edhe më shumë?
Dua të kthehem prapë prapa
Që t’i bëjë edhe njëherë bashkë epirotët e mi
Por këtë herë që t’shpëtoj botën për t’ardhmen tonë
Për të ardhmen tonë të mrekullive të pafundme.

(Zagreb, Mars 1989) / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme