E nesërmja

5 Tetor, 2019 - 4:30 pm

Poezi nga Medina Pasoma

Le të shkojë edhe e sotmja kështu
Mjaftueshëm do të vijë e nesërmja
Le të dashurohen edhe sot ngrysja e ditëve me shi
Me rrëmujën e barrës mbi supe
Fundja, do të vijë e nesërmja!
Duke e pritur me mall, si fëmiun e palindur
Si ëndrrat shumëvjeçare për të dashurin
Si lulja për aromën e së cilës digjemi.

Por, nuk e di në cilin stacion ta pres të nesërmen
Dhe kur të vie, a t’ia kap valixhet apo krahët së pari?
A t’i them “mirë se erdhe” apo të hesht
E me heshtje t’i flas edhe më shumë!
Nuk e di të nesërmes a do t’i kapet këmba diku në kalldërm
Dhe kam frikë mos do rrotulliset si e sotmja
Druaj se duart mund të më mbajnë gjithçka, përveç forcës për ta kapur atë!

Mbi te gjitha, nuk e di sa ka mall e nesërmja, për t’u përballë me konakun e zemrës sime
Mund të më ankohet për jorganin me ngjyrë të zymtë
Që nuk ia ngroh shpresat në të ftohtit e vjeshtës
Për dhomën e pa ajrosur, këngën pa melodi
Madje edhe përpëlitjet në lutjet e shpirtit
Mund të më kërkoj pak dritë e nesërmja
Ndërkaq unë, ndërroj stinë duke pritë dritën e saj…

Të ngjajshme