“Edhè hâna do t’a dije, edhè dielli do t’ két pá, se per qark ksaj rrokullije, si Shqypnija ‘i vend nuk ká”

27 Nëntor, 2019 - 9:48 pm

Poezi nga At Gjergj Fishta

Shqypnija

Edhè hâna do t’a dije,
Edhè dielli do t’ két pá,
Se per qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija ‘i vend nuk ká !
Fusha t’ gjâna e kodra t’ blera,
Zijes s’ mnershme larg kû âsht droja,
Me gaz t’ vet ktû i veshë Prendvera,
Si t’ Parrizit t’ larmet shtroja.


Nen nji qiellë perherë t’ kullueme,
N’ rreze e n’ dritë pershkue unjí,
Bjeshkë e male të blerueme
Si vigâj shtiellen n’ ajrí.
Ke ato bjeshkë e ke ato male
Kroje t’ kjarta e t’ cemta gurra,
Tue rrëmbye nper mriza hale,
Gurgullojn nper rrâjë e curra.


Mbi ato male e bjeshkë kreshnike
Léjn mande’ ata djelm si Zâna,
Armët e t’ cillvet, p’rherë besnike,
Janë permendë nder fise t’ tana.
Atje léjn, po Toskë e Gegë,
Si dý rreze n’ flakë t’ nji dielli:
Si dý rrfé, qi shkojn tue djegë,
Kúr shkrepë rêja nalt prej qielli.


Oh! Po, e din i prûjtë anmiku,
Se âsht rrfé zogu i Shqyptarit,
Rijtun gjakut kah çeliku
N’ dorë t’ ktij shndritë per vend t’ të Parit.
Ato male të madhnueshme,
Ato, po, kanë mûjtë me pá
Se sa forca e pafrigueshme
N’ turr t’ Shqyptarit pît ka rá.


Dridhet toka e gjimon deti,
Ndezen malet flakë e shkndija,
Ka’ i frigueshëm, si termeti,
Atje rrmben kû e thrret Lirija.
Lume e shé para atij ngelin,
I a lshojn udhen dete e male;
Mbretent fjalen s’ mund t’ i a shkelin,
Turrin ferri s’ mund t’ i a ndale.


Shkundu pluhnit, prá, Shqypní,
Ngrehe ballin si mbretneshë,
Pse me djelm, qi ngrofë ti n’ gjí,
Nuk mund t’ quhesh, jo, robneshë.
Burrë Shqyptár kushdo i thotë vetit,
Qi zanát ka besë e fé,
Per Lirí, per fron të Mbretit
Me dhânë jeten ka bâ bé.


Sy per sy, po, kqyr anmikun;
Perse djemt, qi ti ke ushqyue,
S’ i ka pá, jo, kush tue hikun:
Friga e dekës kurr s’ i ka thye,
Kaq të bukur, kaq të hieshme
Perendija t’ fali i Amshueshem,
Sá ‘dhe deka âsht per tý e shieshme:
N’ gjí t’ and vorri âsht i lakmueshem.


Po, edhè hâna do t’ a dije,
Edhè dielli do t’ két pá,
Se per qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija ‘i vend nuk ká !
Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní,
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
E me dije e me Lirí
Per jetë t’ jetës të rrnoftë tý ndera.

/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme