Eja ashtu si je

22 Mars, 2021 - 12:37 pm

Poezi nga Rabindranath Tagore
Përktheu: Ag Apolloni

Eja ashtu si je, mos humb kohë me tualet,
Nëse gërsheti t’është prishur, apo flokun s’e ke drejt,
Nëse kordelin në bel s’e ke lidhur, nuk ka dert,
Eja ashtu si je, mos humb kohë me tualet!
Eja mbi bar me hapa të shpejtë!
Nëse këmbët t’i njomë vesa, nëse mbetesh pa sandale,
Nëse perlat të këputen nga gjerdani, mos ki dert.
Eja mbi bar me hapa të shpejtë!
A po i sheh retë duke u mbledhur në qiell?
Varg lejlekët fluturojnë lart dhe era shpejton mbi shkurre.
Kafshët të trembura nisen vrap në stane.
A po i sheh retë duke u mbledhur në qiell?
Ti kot ndez llambën për t’u stolisur; ajo dridhet dhe e fikë era.
E kush mund ta vërejë se bloza qepallën s’ta ka prekur?
Se sytë i ke më të zi se retë e shiut?
Ti kot ndez llambën për t’u stolisur; ajo dridhet dhe e fikë era.
Eja ashtu si je, mos u vono me tualet!
Nëse kurorën s’e ke thurur, s’ka dert?
Nëse zinxhirin e dorës s’e ke lidhur, ashtu lëre.
Është vonë; qielli u bë terr nga retë.
Eja ashtu si je, mos u vono me tualet! / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme