Emigrantët nuk kanë atdhe

17 Gusht, 2020 - 10:54 am

Poezi nga Flygerta Krypi

Emigrantët nuk kanë atdhe
Të huaj ku u lindën
Të huaj ku jetojnë
Të pakuptuar ku u rritën
Të pavlerësuar ku frymojnë.

Emigrantët nuk kanë atdhe
Kockat nuk kanë ku iu prehen
Epitafet e tyre askush si fshin
Nën rrjeta merimangash, këmbënyjëtuar
Mbledhin gjakun që askush nuk ia shet.

Emigrantët nuk kanë gjuhë
Dhe pse rrjedhshëm flasin disa
Ata askush nuk i kupton
Shpatullat askush nuk ia prek
Të gjithë lindur nga një tokë
E prapë jetimë si të jenë dreq.

Emigrantët nuk kanë shtëpi
Dhe nëse blejnë një qytet
Se kudo iu kumbon përjashtimi
Me pashaportë, por pa shtet
Veç me taksa mbijetimi.

Emigrantët nuk kanë kujtime
Koka jonë mban veç rrënoja
Një mijë histori udhëtimesh
E prapë skllevër të burgut të tyre.

Sikur unë, sikur ne… / KultPlus.com

Të ngjajshme