Epitaf i të pakthyeshmes

12 Dhjetor, 2023 - 3:40 pm

Daut Dauti

Një çorientim kohe e hapësire
Lëbyrje shikimi mbi Urë t’Gallatës
Bie t’i falesh Perëndisë dhe s’e gjen dot anën
Kërkon kyblen nga jugu dhe të duket e kthyer nga lindja
Në të gdhirë sikur dielli lind nga perëndimi
vendtakim kohësh në një Sot kaosi

Një e kaluar pa të ardhme dergjet
Kaq shumë lëngatë n’bregmallin e Detit t’Zi,
S’ka mjekues as mëkues,
s’ka vend planeti që shkakton aq dhimbje
askush nuk flet shqip në “Arnautkoj”[1]

Të gjallë zëlëmekur me pak shpirt
në grahmën e fundit
n’hon historie shkuan gjithë karavanet e natës
Të dëbuar nga mbretër të joshur nga dovletër
një det varr Sot’n e ndan nga Djeja
n’Stamboll “Shoku” i Muharem Qenës është kalbur në varr
një pus dhimbjesh mbledh kujtimet kënga

S’ka murnajë pa mistri shqiptari
as bedena  kalaje, as istikame Çanakalaje,
shumë flijesa pa emblemë atdheu

Dhembjet e Stambollit një zverdhanik kujtese
Koha Sot –një gur varri mbi Djenë
Epitaf mbi të pakthyeshmen


[1] Arnautkoy, paralagje që ka marrë emrin sipas shqiptarëve, por që në ditët e sodit konsiderohet si lagje pa shqiptarë! / KultPlus.com

Të ngjajshme