Gjuha Shqipe

21 Shkurt, 2018 - 4:31 pm

Poezi nga ISMAIL KADARE
(1936)

Kur në sulm hodhën turqit
Hordhitë e pambaruara,
Kështjellat e sintaksës
S’ i muar, që s’ i muar.

Në bedena poemash
Popullore mbetën
Kufoma divanesh e
Kufoma bejtesh.

Kur panë se gjuhës
S’ i hodhën dot prangat,
Lëshuan drejt saj
Gjithfarë merimangash.

Parashtesa e pjesëza
E lidhëza së prapthi
Të bukurën gjuhë
Ta bënin lesh arapi.

Në përçartje ta kthenin,
Në delir në jerm.
Shin vite të rënda,
Ishin shekuj plot helm.

Të të bënin ty, donin,
Shqipëri memece,
Por ja, erdhi Naimi,
Si yll mbi ty ecte.

Dorën e zbehtë
Mbi ballë të vuri,
Të të hiqëte zjarrllëkun
Prej të sëmuri.

Dhe vdisnin pjesëzat,
Thaheshin merimangat,
Ndriste si perlat
Poezia e madhe.

Kjo gjuhë, që provoi
Akrepët e shkretëtirës,
Ç’ do të thotë përçartje
E di, oh,e di mirë.

E di ç’ do të thotë
Kllapi, hermetizëm
Qoftë e ardhur nga Roma,
Qoftë e ardhur nga Parisi.

Kjo gjuhë martire,
Lehonë e përjetëshme,
Që lindi mes dhembjesh
Art të pavdekshëm.

Të ngjajshme