Gjyshërit e Lidhjes Shqiptare

10 Qershor, 2021 - 10:21 am

Nga Hasan Dajaku

Perandoria ofkëllonte,
Dridhej si skelet –
Gjymtyrët e këputura
Ia shisnin në treg.

Endej nëpër Berlin
Si njerkë e ligë,
Tregun ia bëjnë
Me çmim të lirë:

M’i lini këto vilajete,
I kam “fëmijë” e “xhan”!
Shtetet ndanin për qejfi,
Atë e fusnin dorëzan:

Merre këtë copë, s’ka gjë,
Vetëm të jemi miq!…
Tretej perandoria
Dhe sillej lakuriq.

Lakuriq ish shpirti i saj
Tek thërriste “fëmijë” e “xhan”,
Pranonte çdo detyrim,
Hynte paturpshëm dorëzan.

E mbaj mend si sot
Atë kohë të turbullt me re:
Ishte kohë e brengës së madhe,
Që djeg me flakë e rrufe!

Muhaxhiri ecte i menduar
Pas qerres me fëmijë,
Si ëndërr e bukur, e pikëlluar
I shfaqej në sy një çati.

E di çupa ime e dashur,
E dhjeta e djalit Qershor,
Që erdhi shpejt, si flutur,
Më foli me zë gazmor:

Ç’po ndodh në Prizren!
Eja, gjysh, ç’po ndodh…
Më tha mbesa ime,
E dhjeta e djalit Qershor.

Nga Sharri zbrita n’kala,
Në kala pushova një çikë,
Prizreni kishte dasmë,
Dasmë po bëhej atë ditë.

Prizreni madhështor
Kishte ngritur çati,
Një qiell të kuq:
Qiellin e agimit të ri!

U lidh besa e madhe:
Dora – dorën shtrëngoi,
Si copë e shkëputun nga malet
Burrëria e Prizrenit brufulloi.

E lulëzuar ishte kjo copë
Me plis e fustanellë të bardhë,
Ngjyrën e maleve e fushave
Ajo copë me vete kish marrë.

Më kujtohet Abdyl Frashëri,
Ballëlart e krenar,
Si priu në valle,
Në valle që hidhte zjarr.

Nga kreu i valles foli,
Të gjithë e ndëgjuan.
Në plaku mjekërbardhë
Lotët i rrodhën çurg.

Perandoria të mos flasë në emrin tonë!
Të mos na thërras as “fëmijë” as “xhan”,
Me të jemi prerë e grirë,
Për tokën tonë pse hyn dorëzan?

Dhe foli: Berlini gumëzhin
Si treg i keq…
Brohoritën vasha e trima,
Si Drini gjëmuan ca pleq.

Perandoria le ta shesë
Veten dhe çallmen e vet!
Foli Abdyli ballëlart,
Zemrat gufuan përpjetë.

Perandoria është helmatisur,
E helmatisur çdo gjë e saj,
Plane tinëzare ka kurdisur,
O vëllezër, të na përçaj’.

Trimat shtinin me malherë,
Kë qëllonin plumbat, vallë?
Qëllonin perandorinë tinëzare
Dhe qiellin e errët të saj!

____

Vepra “GJYSHËRIT E KOSOVËS” / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme