Gjyshi ynë foli kështu: E dua Kosovën për qëndresë, e për të bardhën besë!

24 Korrik, 2020 - 11:28 am

Poezi nga Hasan Dajaku

“Gjyshi ynë foli kështu”

E dua Kosovën për qëndresë
E për të bardhën besë!

E dua me trimninë e Mic Sokolit,
Me dashurinë e Hasan Prishtinës,
Me urtinë e Shtjefën Gjeçovit,
Me bukurinë e Shote Galicës!…

E dua për bjeshkët harkore
Që e qarkojnë,
E mbajnë në gji
Këtë djep dashuri!

E dua për begatinë,
Për bujarinë,
Për blerimin dhe dashurinë!

Drini rrjedh dashuri,
Ibri rrjedh dashuri,
Lepenci e Nerodimja rrjedhin dashuri
Që nga dardanët,
Dhe përtej tyre
Rrjedhin ëmbël, ëmbël
Si këngët ilire…

Thjesht: Kosovën e dua!

– Gjyshërit e Kosovës – / KultPlus.com

Të ngjajshme