Hapet thirrja për konkursin mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”

6 Dhjetor, 2021 - 1:13 pm

Fotografia nga nata finale e edicionit të tretë “KultStrofa”.

“KultStrofa”, konkursi mbarëkombëtar i poezisë, që këtë vit shënon edicionin e katërt, fton të gjithë poetët që të konkurrojnë me poezi, shkruan KultPlus.

Konkursi mbarëkombëtar që konsiderohet si një ndër konkurset me prurjet më serioze të poezisë, do të jetë i hapur deri më 15 dhjetor, dhe të gjithë ata që dëshirojnë të jenë pjesë e kësaj gare të madhe poetike, mund ta dërgojnë nga një poezi, dhe që nuk duhet të jetë e botuar në asnjë botim më të hershëm. Poezitë duhet të dërgohen me emër dhe mbiemër në [email protected].

Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus, që është edhe organizatore e këtij konkursi ka thënë se kjo garë poetike tashmë ka marrë përmasa të mëdha, pasi që nga viti në vit, aplikimet për këtë konkurs kanë shënuar një rritje të madhe.

“Që nga edicioni i parë kemi pas një interesim të madh të poetëve që kanë aplikuar në konkursin “KultStrofa”, duke përfshirë poetët nga: Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe diaspora. Në edicionin e fundit kemi pas mbi 200 aplikantë”, ka thënë Pajaziti, e cila ka thënë se përpos prurjeve të mëdha poetike, ky konkurs ka shumë kujdes edhe në përzgjedhjen e jurisë profesionale, ku në vitin e fundit, juria ishte në përbërje të Mirela Kumbaros, Bardh Rugovës dhe Anton Berishës.

“Edhe këtë vit, KultPlus do të kujdeset që të ketë emra të rëndësishëm në juri, të cilët edhe do të vlerësojnë poezitë e këtij edicioni”, ka thënë Pajaziti.

Si çdo vit, juria profesionale do të zgjedhë dhjetë poezitë më të mira të edicionit, ku edhe do të ftohen të dhjetë poetët që të lexojnë poezitë e tyre, kurse nga dhjetë poezitë finaliste, do të shpërblehen tre poezitë më të mira, me vendin e parë, të dytë dhe të tretë. Cermonia e këtij edicioni do të mbahet në KultPlus Caffe Gallery.
Në edicionin e parë, me vendin e parë është shpërblyer Ragip Sylaj, në edicionin e dytë Arjola Zadrima, kurse në edicionin e tretë është shpërblyer Merita Bërdica. / KultPlus.com

Të ngjajshme