I urrej akulloret me kaush

16 Prill, 2022 - 11:59 pm

Poezi nga Fitim Majkovci

shoh në shesh çifte plot
dorë për dore shumë dashni
në rreze dielli si këto sot
mbi mu asht reja që sjell shi.

pak më tej zë pëllumbi
e mu m’shoqnon’ tingulli i mortjes
në qytetin pa lum, më mori lumi
kaq shumë çifte, dhembje koke.

një kafe, supë e akullore
porositë renditen varg
unë në tym me fletore
rri vështroj si një fikan.

ç’kisha unë s’pati njeri
asnjë çift n’asnjë qytet
po ç’kisha unë e mori lumi
bashkë me të edhe ëndërrimet.

as supë, as akullore
e urrej çdo romantikë
akull, ftohtë, prej dëbore
as zë pëllumbi, asnjë muzikë.

s’më duhet çift, as askush
njëherë provova at’ episod
edhe i urrej akulloret me kaush
se një e tillë m’kujton n’ty sot.

pak më tej zë pëllumbi
mu m’shoqnon’ reja me shi
në qytetin pa lum, më mori lumi
e bashkë me ëndërrimet, m’ike edhe ti./ KultPlus.com

Të ngjajshme