‘Jashtë është mot i vrenjtur, qielli ngjan si i zgërlaqur plot me re të shpërndara’

28 Dhjetor, 2022 - 7:30 pm

Poezi nga Liridon Mulaj

Babait, “krifa” e bardhë
derdhur supeve po i rrallohet.
Dhe nuancat e verdha të nikotinës,
për çudi po ia mveshin të tërën
Tashmë thotë po bëhem biond,
siç nuk kam qënë kurrë, as në ëndrra.
Dhe pa përfunduar fjalën e pyes:
A ke pasur ëndrra?
Nuk qesh babai,
shtrëngon grushtet
kruspullohet si gjarpër shtëpie
e nëpër dhëmbë,
shpall se Po!
-Kam ëndërruar, ndryshe do të
isha i vdekur!
E teksa më vështron me sytë e
ujëzuar ,
nis e qesh duke më thënë serish se po,
tani duhet të qeshim.
(Ka një kohë për të qeshur dhe një kohë për të qarë)
Dhembët e vënë me material industrial
e bezdisin,
duhani ia shkatërron frymëmarrjen,
por ai e puth cigaren e dredhur siç
puthet e dashura e jetës.
(Se di, mamaja apo në mos ndonjë tjetër!)
Ja dhe një tjetër dashuri që vret,
siç vritet hapi ynë drejt amshimit,
që ngjason me theqafjet e fëmijës
në tentativë për të ecur.
Ai nuk e kupton se momenti
i qëndrimit drejt
është çasti kur ia ka prerë vetes biletën
për në humnerë…

Jashtë është mot i vrenjtur
qielli ngjan si i zgërlaqur plot
me re të shpërndara
Një fëmijë në oborr, ha një misër të pjekur
dhe herë pas here fshin qurret me mëngë.
Babai nuk qesh,
bashkë me flokët,
i janë rralluar dhe shokët.
Ndërsa unë ,këtë çast pa asnjë motiv
e kthej në poezi , për të mos ia plasur vajit… / KultPlus.com

Të ngjajshme