‘Jeta ikën aq shpejt, sa nga këtu e andej nga vdekja të ndajnë katër mure e pak metra’

22 Gusht, 2022 - 10:30 pm

Poezi nga Fitim Majkovci

agoni, pritje e përjetshme
për jetën, zor
për zotin? s’është aspak
në katër mure e dhjetë metra katror
reflekton, sa shpejt ikën jeta?
shpejt sa një thirrje telefonike 1 minutëshe
fëmijëria të dëftohet n’sekonda
çdo sekond që kalon, merr një kujtim
e secili kujtim merr kuptim
sa shpejt ikë jeta?
aq shpejt sa brenda një dite qesh
e në fund të saj ?
të presin katër mure e dhjetë metra katror.
agoni, pritje e përjetshme
e bardha bahet katran
e dielli bahet plloq’ përveluese
shiu të bahet makth
e erërat s’fshijnë dot gjurmët!
pritje në përjetime
pulsi që matet, një zemër që dobët rreh
ta dëfton fëmijërinë n’sekonda
çdo sekond që kalon, merr një kujtim
e secili kujtim merr kuptim
cili është kuptimi? sa shpejt ikë jeta?
jeta ikën aq shpejt,
sa nga këtu e andej nga vdekja
të ndajnë katër mure e pak metra
e as diell, as shiu e as erërat
s’të shpëtojnë nga e vërteta! / KultPlus.com

Të ngjajshme