Kafsha e zezë

14 Mars, 2019 - 7:00 pm

Poezi nga Azem Shkreli

Heshtja det i lëkundur dhe vetimët 
Fshikin terrin trupi i saj përdridhet 
Ku janë njerëzit. Nga janë nisur bimët 
Një langua leh e s’ik as lidhet 
Ulurin përmotshëm mbase së ligës 
Ja ndjen erën diku në gjakun tim 
Ai rrëmbimit të vet i turret digë 
Rreptas pastaj etur merr gufim 
Tej durimit dhimshëm. Të trazuara 
Ngrihen grevë të pabërat duan dëshmi 
Protestojnë. Gjithë gjërat e ndaluara 
Bredhin mëllefit të vet me zhauri 
Dhe leh kafshë e zezë e s’ik as lidhet 
Heshtja det i lëkundur dhe vetimët 
Fshikin terrin trupi i saj përdridhet 
Ku janë njerëzit. Nga janë nisur bimët 
Ja që kështu na qenka kafshë e dehur 
Mëtimi. Pastaj vetëm cuklat kur të na mbeten 
Do thonë: Ai me fjalë e ajo me të lehur 
Të rrojnë se njerëzisht e hëngrën veten 
Të pastë ndjesë harrimi hero i herave tjera

Të ngjajshme