Kaltërt

30 Prill, 2019 - 8:56 pm

Poezi nga Vlora Konushevci

Këmisha e natës e kaltërt si andrra, i jepke jetë 
qehres së lodhun prej bilirubinës 
në sy, në lëkurë, në flokë
po shikimin e qeshun s’ka mujt me ta zaptu
as në sahatin e dekës
kur i hape sytë për të mramën herë 
duart na i shtrëngove 
e dhe frymën e fundit 
syqeshun
nanë.

Me shikime 
ma s’ lehti jemi kuptu
vatër e shpirtit tem 
sytë e tu 
të kaltër si këmbana 
të thellë si temeli 
të begatshëm si bollëku.

Deka jote 
dhimta jem e parë pa ty, 
dhimtë e përjetshme 
që t’bahet mike, 
e merr me veti në udhëtime 
në punë, në sofër, 
ama strehën e ka në dush 
si n’faltore del çlirë 
uji dyzohet me përmbyjten e lotëve 
kaltërt si këmisha jote e natës
kaltërt si frika 
kaltërt si pabesia 
kaltërt si humbja 
kaltërt si boshllaku 
kaltërt si dhimta 
kaltërt si nata n’Kubë e Nerudës.

Të fundit

Të ngjajshme