Kam nevojë të kthehem

2 Maj, 2019 - 10:10 pm

Sadete Tërnava – Osmani

Kam nevojë të kthehem 
Aty ku më ka ngecur hapi të vazhdoj
Ta nxjerr hënën prej eklipsit
Në prehërin e nënës pak të pushoj
Dashurisë që ende më prêt
T’I them: të dua 
Në mos më shumë, në mos më fort

Kam nevojë të kthehem
Në pikturën e papërfunduar, në vargun tim
Fjalët e përshpirtshme t’i ngurtësoj
Në blertësinë e hojeve magjinë ta hedh
Rrugëve të fëmijërisë hijën ta zë
Veç unë e di sa mall kam
Në mos më shumë, në mos më fort

Kam nevojë të kthehem
Me shtratin e lumit tim hapin ta mas
Me ngjyrën e tij të flas, me atë puhi që s’rreshtë
E t’i them se s’kam ndryshuar
Nën këtë qiell, tokë e ujë si dikur
Të dua shumë, në mos më fort

Kam nevojë edhe njëherë të kthehem
Te kërkoj e te gjej më të mirën
Edhe aty ku nuk ekziston
Amësisë së kësaj jete 
Thellë shtresave të nëndheut tënd
E t’i them atdheut si asnjëherë më parë
Mos ik nga vetja, fatin tënd mos e dëbo
Se unë vazhdoj të të dua edhe kështu si je
Në mos më shumë, në mos më fort

Kam nevojë të kthehem
Edhe për një premtim të dhënë
Moj Nënë ….

( Zhegër, 2 Maj 2019 )
Poezia fituese e Manifestimit poetik “Muza e Agimit” 2019./ KultPlus.com

Të ngjajshme