I kam shkru një mijë poezi

12 Shkurt, 2018 - 7:00 pm

Poezi e shkruar nga Gili Hoxhaj.

I kam shkru një mijë poezi,
para syve tu që lotonin.
Për shuplakën e dorës tande që kurrë s’më la ta fshij lotin,
do të shkruj dhe një mijë të tjera.

Ma ke thënë disa herë që s’mund të ndihmoj në këtë stinë që t’i zgjon plagët.
Ma ke thënë që as dielli s’të nxjerrë nga ajo dhomë ku natën qan dhe i shtrëngon fort fotografitë e tyre.

“Hajde veç edhe një herë në këtë prag’ të derës tem’, e sheh qe unë s’po kjaj”
Sikur unë s’po ta shoh mindilin e lagur, përshperis në vete.

E di që edhe pas 19 vitesh provon të qash pa zë, për tu thënë që nuk po mërzitesh.
E mishëruar me dhimbjen, më së miri mëson ta fshehësh.

Edhe të shkruaj çdo natë në këtë stinë,
një mijë poezi s’mund të shpëtojnë këtë kasolle nga rënkimet e heshtura.
Ende duket sikur në çdo prag të derës në atë lagje dikush e kishte shkruar,
“këtu ditën s’flitet për luftën, por natën qahet pa zë”.

Të ngjajshme