Këngët e Milosaos

13 Maj, 2024 - 7:55 pm

Nga Jeronim De Rada

Kënga I

Bota kish ndërruar lisa,
uji i ri në det
kaltronte n`ditn` e re;
por lumbardha e Anakreontit
në Temp rronte e moçme.
Nd`uj një dit` vate te mali
e s`u kthye si e kish zakon.
Veç` që atë s`e thau bora,
s`e përgjaku heshtëza,
po u largua gjersa ra
tek e bardha shpia ime.
Kur n`agim tokë edhe shpi
u zbuluan bashk` me detin,
si hareja që del sysh,
më zgjoi duke fërfëlluar
qelqeve t`dritares.
U pataksa e ruajta jashtë:
rrusht`, pak aguridhe,
dheut tonë i kishin hie;
lule liu të hapura,
n`i tund era e i përzien,
në atë ninull qeshin;
Si ato lule –qielli.
Ti vështroje dhe s`kujtoje
asnjë mbëhi njerëzish.
Kallëzoret nëpër duajt
po këndonin. Dheut huaj
ahere ndër time motra
kisha arritur; mëma ime
emrin tim thosh nëpër shpi.
Një hare më rrodhi kurmit,
si hareja kur te shtrati,
mbrëmanet, vajza e ngrohtë
ndien për të parëzën
sisët që m`i fryhen./ KultPlus.com

Të ngjajshme