Kjo është juria profesionale e konkursit të poezisë “KultStrofa”

22 Nëntor, 2019 - 6:40 pm

Konkursi mbarëkombëtar i poezisë “KultStrofa” më datën 18 nëntor ka hapur thirrjen për edicionin e tretë të këtij konkursi.

Konkursi është i hapur për të gjithë poetët, ata që tashmë janë të dëshmuar me poezi, por edhe talentët e rinj, shkruan KultPlus.

Ardianë Pajaziti, themeluese e gazetës online për art dhe kulturë “KultPlus” ka bërë të ditur se në këtë konkurs mund të aplikojnë të gjithë të interesuarit me vetëm nga një poezi; poezia duhet të jetë e pabotuar dhe duhet të dërgohet me emër dhe mbiemër në adresën [email protected], me subjektin “Për konkursin e poezisë “KultStrofa”. Nuk pranohet asnjë poezi që vjen nëpërmjet formave tjera!

Juria profesionale e këtij konkursi është e përbërë nga: Përkthyesja, publicistja dhe ekspertja ndërkombëtare, Mirela Kumbaro – kryetare e jurisë, akademiku Bardh Rugova dhe profesori, studiuesi dhe shkrimtari Anton Berishaj.

Dhjetë poezitë më të mira do të përzgjedhen nga juria profesionale, kurse nga dhjetë poezitë, më pas do të zgjedhen tri poezitë më të mira, të cilat edhe do të shpërblehen nga organizatori me mirënjohje dhe vlerë monetare. Ju kujtojmë që në konkursin e parë fitues ishte poeti i njohur Ragip Sylaj, ndërsa në edicionin e dytë Arjola Zadrima.

“KultStrofa” organizohet nga gazeta online për kulturë dhe art www.kultplus.com. Thirrja do të jetë e hapur deri më datën 1 dhjetor 2019. /KultPlus.com

Të ngjajshme