Kodrat e Dukagjinit

17 Nëntor, 2022 - 11:45 pm

Poezi nga Enver Gjerqeku

Po digjen flakë n’zjarr t’blerimit 
Kësulat e fushave t’arta gjiplote. 
Lumejt’ – udhëtarë t’palodhun n’mote 
Vrapojnë me i zanë rrezet e agimit. 

Si plis me nji sy në cikolet e veta 
E vejnë borën për lindje e për dekë, 
E s’guxon kush veç puhisë m’i prekë, 
Kur nata zbret n’to me krahë t’le’ta. 

O ujdhesa t’kohës mbi liqej t’grunit, 
Që dënesni nën ortiqe, breshën e shi 
E trupin e çlodhni nën hije t’drunit, 

Në shputat e mia barin tuej e báj, 
Nën gishtat e mi damar’t tuej i ndi’, 
Për ju bukë e krypë prore do të ndaj. / KultPlus.com

Të ngjajshme