14 Korrik, 2025 - 11:10 pm
Poezi nga Sibel Halimi
Koha për poezi
Mbi 40-tat
Të gjitha recetat kërkojnë ndryshim,
të maskuar, të heshtur, të gdhendur në pritje.
Por mbi dyzet, të jesh vetja
është një akt i vogël rebelimi,
një refuzim i ngadalshëm
i përsosmërisë që të mbaron.
Miratimi fishket,
arsyetimi tretet, shterron
si një burim i harruar
në shkretëtirë.
Liria s’është shpërthim,
por një pajtim i butë
me vijat që të rrethojnë,
trupi s’është më projekt,
mendja nuk pret të riparohet.
Të dyja, një terren i hapur,
ku e vërteta fton ajrin të hyjë.
Thjeshtësimi,
jo zbrazëti, por thelb
i përqendruar,
që mban peshën e kohës
pa ulur kokën.
Të jesh e pranishme,
pa falje, pa lutje,
pa retorikë që të zvogëlon.
Mbi dyzet, të qenit grua
është një ujëvarë pyetjesh
të heshtura, e rizbuluar n’ecje
dyzetat nuk kërkojnë përgjigje,
por hapin rrugë,
krijojnë vend për frymëmarrje.
E lirë./KultPlus.com