‘Kujtoj me mall një çast gëzimi’

8 Shtator, 2021 - 3:00 pm

Poezi nga Aleksandër Pushkini

Kujtoj me mall një çast gëzimi

Përpara sysh m’u çfaqe ti,

Si vezullim i një vegimi

Si ëngjëll plot me bukuri.

N’andralla jete zhurmëkote

Në dhembje brengash e mërzi,

Më grishte larg fytyra jote

Dhe zëri yt plot ëmbëlsi.

Nga shoqt’ e kohrave që shkaun

Kështell’ e ëndrrave m’u shemb

Me mjegull vitet më mbuluan

Fytyrën tënde, zërin tënd.

Ç’i ngrysa ditët gjithë me brengë,

I zymtë dhe në shkretëti,

Pa perëndi, pa shpres’ e këngë,

Pa lotë, jet’ e dashuri.

Në shpirt më shkrepi prapë agimi,

Dhe ja, sërish m’u shfaqe ti,

Si vezullim i një vegimi,

Si ëngjëll plot me bukuri.

Dhe rreh me gaz kjo zemra ime,

Sepse iu kthyen përsëri,

Dhe perëndi dhe frymëzime,

Dhe lotë, dhe jet’ dhe dashuri./KultPlus.com

Të ngjajshme