Kur dashuria vdes

27 Tetor, 2021 - 12:38 pm

Poezi nga Fjolla Hajrizaj

Bari më nuk është i gjelbër
Drita merr arratinë
Fundi i tunelit është fillim i tij

Kur dashuria vdes
Flet kujtimi
Ngjallet plogështia
Humnera thërret
Këmbët në ndyrësi sharrojnë

Kur dashuria vdes
Ka vetëm unë Ego
Mungon njeriu, tepron mbinjeriu
Kur dashuria vdes
Mungon gjithçka

Kur dashuria vdes
Këngët janë të trishta
Heshtje e zhurmë janë në sinkron
Mendime vrastare unin përpijnë
Valsi i lumturisë harrohet
Ti vrapon pas saj
Ajo ecën pas tij
Rëra i mbulon hapat tuaj
Forca lufton plagët e mia

Kur dashuria vdes
Dimri shtrin pushtetin e tij
Bën ftohtë
Frynë veriu
Mungon njeriu, tepron mbinjeriu

Kur dashuria vdes,
Ka retorikë boshe
Kush nuk flet pos natës
As hëna nuk del
Kambanat e kishës nuk bien
Lutje nuk i bëhen Zotit
Mëshira vdes

Kur dashuria vdes
Fotografitë mbesin arkivave
Qenia endet pa shpirt
Njeriu më nuk është njeri
Se dashuria vdes
E është ajo që njeriun e lindi

Ti akoma nuk e di ç’do thotë
Në purgator të rrish gatitu
Ti njëmend nuk e di se
Jetë e vdekje bëhen një
Kur dashuria vdes

Në këtë shtet pa kujtesë
Dashurinë e djeshme varrosim
Të nesërme nuk ka jetojmë sot për sot
Këtu, tani, mes nesh DASHURIA PO VDES!

(titulli i frymëzuar nga kënga e Armend Rexhepagiqit me po të njejtin titull) / Kultplus.com

Të fundit

Të ngjajshme