Kur e di se do të vdesësh

9 Gusht, 2020 - 6:55 pm

Poezi nga Teodor Keko

Në përkujtim të artistit Arben Bajo, KultPlus ju sjell këtë poezi të autorit të njohur Keko.

Kur e di se do të vdesësh,
pemët kanë më shumë lule dhe më
shumë yje qielli ka.

Më të mirë dhe më të çuditshëm
janë njerëzit,
që nuk e kuptojnë se hija e trupit
të tyre është vetë vdekja.

Kur e di se do të vdesësh,
toka është pjellore si grua
dhe qielli ta shuan përjetësisht
etjen me shirat e tij
dhe avionët nuk fluturojnë për t’u
rrëzuar
dhe njerëzit nuk lindin për t’u bërë
nesër të ligj.

Më mirë ta dish se do të vdesësh!

Lulet lule do të jenë dhe nuk do të
kundërmojnë më trishtim
dhe njerëzit do kthehen më shpesh
te distributori i harruar
të furnizohen falas me besim. / KultPlus.com

Të ngjajshme