Kur unë dashuroj

14 Shkurt, 2023 - 11:15 am

Cikël poezish nga Nizar Tawfiq Qabbani

Dallimi mes meje edhe qiellit

Dashnia ime më pyet mua:
“Cili është dallimi mes meje edhe qiellit?”
Dallimi, dashnia ime,
Është se kur ti qesh,
Unë e harroj qiellin.

Kur dashuroj

Kur unë dashuroj
ndjej sikur jam mbret i botës
e zotëroj tokën dhe gjithçka në të
dhe me kalin tim hipi në diell

Kur unë dashuroj
bëhem dritë e lëngshme
e padukshme për syrin
dhe poezitë në fletoret e mia
bëhen fusha me mimozë dhe lulekuqe.

Kur unë dashuroj
uji buron nga gishtat e mi
bari më rritet në gjuhën
kur dashuroj
unë bëhem kohë jashtë çdo kohe.

Kur unë dashuroj një grua
të gjitha pemët
vrapojnë zbathur drejt meje…

Sa herë që të puthi

Secilën herë që të puthi
pas një ndarjeje të gjatë
ndihem sikur
po dërgoj një letër dashurie për s’shpejti
në një kuti postare të kuqe.

Përktheu: Shkëndije Berisha / KultPlus.com

Të ngjajshme