займ на карту онлайн потребительский кредит

“Kur vdiq baba’

1 Prill, 2020 - 8:18 pm

Poezi nga Arbër Selmani

Kur vdiq baba,
vdiq një pjesë e imja,
vdiq pak edhe nana e pak edhe motra me të,
vdiqën këmishat e tij
vdiq rroga ime e fundit në xhepin e djathtë
vdiq ditë e bekuar,
vdiqën kërkimfaljet, shuplakat e forta, dëshirat që i pata
andrrat që si pata
vdiq pazari i mëngjesit, edhe krejt mëngjesi vdiq atë ditë.

Kur vdiq baba,
Ka vdekë edhe një lis diku në malin e shenjtë,
Ka vdekë një e mirë, një mirësi, një përrallë nuk u tregua më,
Ka vdekë trupi që jeta nuk i dha gjë prej gjëje,
Se nuk quhet jetë
Kur cdo pesë vjet, fatkeqësia gjen paqen e saj mbi ty.

Kur vdiq baba,
Vdiqa copë copë në tepihun e banjos.
U zvarrita deri te rubineti për ta larë fytyrë,
Për ta parë vdekjen time,
Për të harruar sa trupi po vdiste po të njëjtën ditë.

Kur vdiq baba,
Kush nuk u kfill më në shtëpinë time,
Vdiq zënka e fundit, vdiq një bursë studimi për Amerikë,
vdiq edhe diploma e shkollës, që sot s`është as leckë.
Vdiqën burrat e dobët të kësaj bote,
Vdiqën gratë të cilave natyra iu dhe shkelma shpesh e më shpesh.
Vdiq me babën edhe lumturia ime,
Vdiqën detet ku dikur futa trupin tim të pakohë,
Vdiqën fushat ku jam rritë i gëzuar,
Vdiq i dashuri im i harruar,
Vdiq gruaja ime që nuk do të ekzistojë kurrë,
Me vdekjen e babës ka vdekë një copë e imja e vjetër.

Me babën ka vdekur edhe e bukura,
Kompleti i librave të Asdrenit dhe Kapitali i Marksit,
Kur vdiq baba,
E ndjeva pickimin në shpirt dhe shtrëngimin e Zotit
I pashë para meje ata që nuk janë të bukur sa ai
Se askush nuk është më i bukur se bukuria hyjnore e babës,
Se krejt patën jetën e mirë, po jo i imi babë
Se shumica morrën përqafime kur ai derdhi lot,
Se fati ka shëtitur në qytet këmbëzbathur po babën tim nuk e takoi dot sokaqeve.
Kur vdiq baba, zanat e bardha më janë kthyer në gjarpër të zi e të gjatë.

Kur vdiq baba,
Krejt orenditë e shtëpisë i kam rrotullu e nuk e kam gjetë,
Morra avion, e as në shtetin tjetër për të nuk kishte vend,
I mblodha dromcat e mërzisë dhe i kapa bashkë, i përthekova
Kur vdiq baba,
Ka vdekur edhe një perëndi diku lart që u lodh së jetuari,
Ka vdekur një Eros që ditët e mira i pati të porositura,
Kanë vdekur shokët e tij, shoqet, kanë vdekur të afërmit që nuk janë kurrë të tillë.
Kur vdiq baba,
U ula buzë lumit të lotëve të mi dhe qava. / KultPlus.com

Të ngjajshme