Kur vijnë poetët në “Symphony”

21 Maj, 2020 - 7:00 pm

Poezi nga Sali Bashota

Kur vijnë poetët në “Symphony”
Zgjohen kujtimet për mallin e miqve
Si fjala e bukur
Si ëndrra e lumtur
Si dashuria
Kur vijnë poetët në “Symphony”
Poezia pëshpërit me afshin e vet
Sa herë mëngjesi
Ngjan me tungjatjetën
Sa herë mesdita
Ngjan me mirëseardhjen
Sa herë mbrëmja
Ngjan me mikpritjen
Kur vijnë poetët në “Symphony”
Secili e di nga vjen frymëzimi  
Edhe në çastin e ndarjes
Për t’u takuar prapë të nesërmen
Siç takohen përshëndetjet e përmalluara
Kur vijnë poetët në “Symphony”
Prapë të njëjta janë
Të gjitha ëndrrat e dashurisë
Veshur me këmishë ngjyrë ylberi
Secila më e bukur se tjetra
Zbresin rrugicave të përqafimit
Derisa t’i lagë shiu i Prishtinës
Dhe e panjohura humb gjurmët e saj
Kur vijnë poetët në “Symphony”
Me vete e marrin edhe dashurinë
Nëse imazhi i parë
Është si nata me yje
Nëse imazhi i dytë
Është si shikimi i përflakur
Nëse imazhi i tretë
Është si kënaqësia e syve
Derisa të tjerët e pinë me fund
Vetminë e ngujuar të shpirtrave
Kur vijnë poetët në “Symphony”
Tingujt e simfonisë së nëntë të Bethovenit
Zgjohen bashkë me zjarrminë e vargjeve
Aty ku qejfi pagëzohet siç duan shpirtrat
Kur vijnë poetët në “Symphony”

(Prishtinë, 13 prill  2020)

Të ngjajshme