‘Ky asht veç skeleti i kukllës që pret me veshë tesha t’reja prej teprica imagjinatash që i preva prej revistash t’ndalueme’

19 Janar, 2022 - 5:15 pm

Poezi nga Rozafa Shpuza

Për nji kukull pecash

Prej shisës rrumeqe
që shtyn dimnin në qoshk t’oborrit
këpus dy krande cullake
e i lidh kryq me fill t’kuq.
Ky asht veç skeleti i kukllës
që pret me veshë tesha t’reja
prej teprica imagjinatash
që i preva prej revistash t’ndalueme,
me gërshanën e krastijes.
Ngutem me ia vizatue tiparet
me nji laps plumç-thyem
që kajherë mënon me fiksue buzëqeshjen,
prejse dora s’më bindet
e boja hapërdahet mbi fytyrën
e sajume me nji monedhë
që im atë ma pat falë
ditën kur ra bora e parë.
Tash kuklla asht gati me pritë vjetin rishtak
e mue s’më mbetet tjetër
veç me kthye fletën e mbrame të kalendarit.

(vëllimi poetik “Nana i qindiste kryq dimnat”) / KultPlus.com

Fotografia: Rozafa Shpuza

Të ngjajshme