Letra e nanës

6 Shtator, 2019 - 12:01 pm

Poezi nga Sergej Jesenin

Përktheu: Esad Mekuli

Vallë, a muj diçka
në kët ças me trillue.
Mbi çka tash
të shkruej nga kjo anë?
Para meje,
mbi tryezën pikllue,
rrin letra
dërgue prej sime amë.

Ajo m’shkruen:
Biro, nëse mundesh,
eja për festë,
kryeneç mos u ba!
Mue më blej i shall,
e babës, për me veshë,
i palë brekë t’lira,
a skamë e madhe te na.

Më vjen keq
që je poet,
pse fama e nemun
t’u ka ba shok njimend.
Ma mirë kishte qenë
qysh n’vogjli, me qetë,
tue lavrue arën,
të shkojshe me parmendë.

Jam plakë,
fuqija më ka lëshue,
t’kishe mbetë ti te shpija,
pa mundë
krah kisha me pasë,
nuse kisha fitue!
Gjyshja në prehën
nipat kish përkundë.

Por ti fëmijt e tu
botës ia ke shpërnda; përsëri
gruen shum lehtë
tjetrit ja ke dorzue,
dhe tash pa miq,
pa çerdhe e pa shpi,
në llom mejhanesh
vehten ke lëshue.

Loçka ime,
si u bane kështu?
ishe aq i dlirë, i prajshëm
si orë e muzgut n’luginë.
T’gjithë, me knaqsi, kanë bisedu’;
Sa i lumtun asht
Sashenjska Jesenin.

Po shpresat tona
ti s’i ke plotsue,
pra, gjithnji ma shum shpirtin
dhimbja ma mundon,
sepse baba kot në veti asht gëzue,
se shum pare ti
me vjersha fiton.

Por, sa do shum
që të marrish për to,
për shpin’ tande ti s’ishe kujtu’,
prandej edhe idhshëm
rreshtohen fjalët si këto,
pse e dij shum mirë
prej shembullit tand –
se poetët pare kurr s’kanë fitu’.

Më vjen shum keq
që je poet,
pse fama e nemun
t’u ka ba shok njimend.
Ma mirë kishte qenë,
qysh n’vogjli, me qetë,
tue lavrue arën,
të shkojshe me parmendë.

Na jetojmë në terr,
tjerët samarin na presin.
As kalin s’e kem ma.
Ti në shpi t’ishe kenë,
kishim pas çdo gja, çdo gja:
Zotsitë tueja i dijmë! –
Dhe kryetar ishe ba
N’Ispolkomin tonë.

Atëherë do të jetojshim qetë,
kurrkush s’na kishte prekë;
Po edhe ti s’kishe dijtë
për lodhjen e ditëve që frigojnë:
Për vedi me ba vek,
e ti na kishe mbikqyrë
në ditët e pleqnisë sonë.

E shkyej letrën e nanës
dhe zhytem n’pikllim helmue,
a thue, kurrkund rrugëdalje
n’udhën e kushtimit tim?
Por çdo gja që në mend bluej
mandej kam m’e tregue –
çdo gja kam me tregue
në përgjegjen time n’vijim.

Të ngjajshme