Llavë dhimbjeje e familjarit të të pagjeturit

30 Gusht, 2018 - 10:26 pm

Teuta S. Haxhimusa

Ke ecë vit pas viti, edhe kur s’ke ndjerë ndërrimin e stinëve!
Herë-herë edhe vetë beson se ke harruar dhe plaga është përtharë!
Por, një lajm, një bisedë kuturu të kthen prapa, e të degdisë shtigjeve të panjohura!
E ti kapesh për një fije shprese, mbase të kotë!

Ah, kjo grimcë shprese që fiket e ndizet pambarim, ta shpërthen vullkanin e heshtur të dhimbjes!
E llava e tij të mbulon, e të mbytë shtresë, shtresë…!!!

Në agoni të pritjes, kur qepallat t’lëshohen plumb mbi sytë e lodhur!
Një zhurmë, një dritare që leviz nga era, një parmak që troket nga pika shiu – të zgjon!
E si rrufeja t’shkreptinë mendimi i parë, i çmendur “Mos vallë është ai”!
Dhe ti ngrihesh, e vrapon, në borë e në shi, në çdo stinë, mu në mes te ërresirës, në çdo cep të shtëpisë kërkon, e kërkon!
Endesh si somnabul, plandosesh para derës së oborrit në dyzim deliri!
Në grykë të mbërthejnë penjtë e mpleksur të realitetit e imagjinatës, e plaga vetëm pikon, e pikon…!

Ah, kjo grimcë shprese që fiket e ndizet pambarim, ta shpërthen vullkanin e heshtur të dhimbjes!
E llava e tij të mbulon, e të mbytë shtresë, shtresë…!!!

Teuta Haxhimusa- Çerkini, 30 Gusht 2018
(Në shenjë bashkëndjenjeje e respekti për secilin familjar që ende jeton në agoninë e pritjes se lajmit për fatin e më të dashurve të tyre, gati edhe 20 vjet pas luftës)

Të ngjajshme