Lotë të hidhur seç më rrjedhin nëpër faqe

19 Korrik, 2020 - 9:30 pm

Poezi nga: Francesko Petrarka

Përktheu: Skënder Buçpapaj

Lotë të hidhur seç më rrjedhin nëpër faqe
me një shtrëngatë makthi psherëtitjesh,
kur sytë e mi kanë fat tek ti të priren
përmes të cilësh humbur bote të jem fare.

E pra, vërtet buqëshja jote e pafaj
i qetëson dëshirat e mia kaq të zjarrta,
më shpëton zjarresh të vuajtjeve të ngrata,
teksa sytë tek ti dhe mendjen ngultas mbaj.

Por shpirti im ftohet fill akull nëpër deje,
tek shoh në largimin tënd yjet e mi të fatit
të kthejnë sytë e tyre ëmbëlsisht drejt meje.

I çliruar nga çelësat e dashurisë më në fund,
për të të ndjekur ty shpirti braktis zemrën,
dhe në mendime thellë i zhytur nuk të ndahet kurrë.

Të ngjajshme