Makijazh

21 Mars, 2018 - 10:35 am

Poezi nga Ilire Zajmi.

I detyrohem shumë zbuluesve të makijazhit
i falënderoj çdo mëngjes për zbulimin e kësaj mrekullie që s ‘ka të paguar
falë tij fsheh me mjeshtri mynxyrat e një nate pa gjumë
sytë e buhavitur nga kokëdhimbja lëkurën e zbehtë e të lodhur
rrudhat e holla mbi buzë vijën e thellë të ballit
thinjat e para në vetulla faqet e fishkura
me buzëkuq vetulla të ngjyrosura faqe ngjyrë pjeshke
penel të zi në sy e hije ngjyrë terrakote
fshij të gjitha gjurmët e krimit e dal nur e buzëqeshur para botës
mikeshat më mbysin me fjalë të ëmbla
për stilin unik e pamjen e freskët femërore
asnjëra s’më pyet si ndihem
për çfarë më dhemb zemra e çka më mundon
Ah këto pyetje nuk bëhen në kohëra moderne
botës i intereson vetëm pamja e jashtme
ajo i thotë të gjitha për ne e fjalët s ‘kanë më kuptim
E çka të them tjetër, përveçse lavdi zbuluesve të makiazhit.
Uh gati harrova. Si nuk u zbulua makiazh edhe për shpirtin?!

Të ngjajshme