Makinë e memorjes

30 Prill, 2025 - 11:50 pm

Argëzon Sulejmani 

Kur zemra e tij 
S’jepte më shumë se një shirit të drejtë 
Në diagramin e ritmit të jetës  
Ajo e puliti për herë të mbrame 
Ngrohtësinë parzmore të diellit të vet  
Shqepi vetëm unazën dhe celularin nga 
Anatomia që i kishte lënë të gjitha 
U gjymtos dhe mori e hyri 
Në atë qark floriri tanësisht 
Po me atë gjymtyrë mori e fshiu gjithçka 
Nga telefoni i tij 
Veç vetes 
Në atë makinë tashmë do ishin veç ata dy 
Si në përrallat me dashuri e pa botë: 
Do niste vërtitjen nëpër 
Bisedat e tyre mbi dritën e vetme 
Që do i tokëzonte nga tash e tutje 
Ajo zhagitje i përngjante 
Ngjitjes me litar drejt qiellit 
Do niste jetën mbrapsht  
Mbrapsht deri ditën që 
Bisedat do soseshin dhe 
Për hak të tyre do duhej shkuar 
Me ngut te ai trup i ftohtë në gjumë 
Sikur mëngjeseve të vona kur 
Matanë receptorit vinte një zë i rreptë zyrtar 
Që kërkonte arsyetimin e mospranisë  
Së tij 
Përmendu, zgjohu, çakordohu: 
“Më janë sosur të gjitha përgjigjet e kësaj bote!”/KultPlus.com

Të ngjajshme