Masandej erdhi virusi…

6 Prill, 2020 - 3:23 pm

Nga Agim Morina

– Babë, çka asht kjo?
– Ah, kjo quhet bicikëll…
Ja, këtu dikur i vendosja kambët dhe u jepja me sa fuqi kisha.
Rrotat rrotulloheshin çmendunisht.
Dikur bashkë më shokë e shoqe e ngitnim të lirë
Nëpër rrugë të qytetit e nëpër fusha…
Masandej erdhi virusi…
U ngujuem dhe shtëpitë u kthyen në burgje.

– Çka asht burgu?
– Dikur njerëzit që thyenin ligjin dënoheshin dhe ngujoheshin në burgje.
Masandej erdhi virusi…
Tash burgu asht vend ku ngujohemi ne për me mbetë gjallë.
Ata që thyejnë ligjin tash dënohen me liri…
Dhe liria nuk asht aq e mirë sa thuhet.
Janë mite dhe legjenda.
Mos u beso!

– E aj qen atje pse shëtitet i lirë? Pse e kanë dënu?
– Ah, dikur edhe ne shëtitnim të lirë si qentë…
Edhe ne ishim të lirë.
Dhe liria nuk ishte dënim!
Masandej erdhi virusi…
Asht pak ma e ngatërrueme se kaq, për me ta shpjegu.
Sidoqoftë, diçka po të tregoj unë e diçka ke me mësu vetë.

– E këto pirgje çfarë janë?
– Ato janë pirgje tempujsh.
Dikur këtu kishte njerëz që mblidheshin e i luteshin një qenieje
E quenin zot, perëndi, hyj, krijues, i gjithëfuqishëm, i gjithëdijshëm.
Masandej erdhi virusi…

– Po ajo atje që shkëlqen, çka asht?
– Aj asht uji i lumit. Aty ka shumë ujë që rrjedh pandalshëm.
Dikur, si fëmijë, ne aty notonim e lundronim. Pa i pyetë peshqit.
Bile edhe peshkonim, zinim peshq!
Kishim harru që lumi u takonte peshqve.
E ne ua patëm marrë. Pa i pyetë.
Masandej erdhi virusi…
Dhe lumi iu kthy prap peshqve.

– Po këto çfarë janë?
– Këto janë degë pemësh ku rriten frutat.
Aty rriten mollat, dardhat, bananet.
Dikur i këputnim me duert tona dhe i hanim.
Masandej erdhi virusi…

– Po këta kush janë?
– Këta janë prindët e mi, vëllaznit, motrat.
Dikur jetonim bashkë. Duheshim. Përqafoheshim.
– Çka asht përqafimi?
– Ah, përqafim asht kur e mbërthen dikë brenda krahëve për me shprehë dashuninë…
– A mundem, pra, unë me të përqafu?
– Mos, bir, mos m’u afro! Rri larg, prapa xhamit!
Dikur përqafimi ishte dashuni.
Masandej erdhi virusi…
Dhe përqafimin u ba vdekje.

– Vdekje? Po vdekja çka asht?
– Vdekja asht bicikëll. E nget vetëm një herë…

– E kjo fushë e madhe e rrethueme çka asht?
– Ky asht stadium.
Dikur njerëzit këtu mblidheshin me dhjeta mija. Bashkë.
Klithnin nga zemërimi e bërtitnin nga gëzimi.
Jehonte gjithë qyteti nga jehona e tyne.
Masandej erdhi virusi.
Tash asht spital i madh. Dhe vdekjetore.

– E pse virusi qenka ba kaq i keq? A nuk paska pasë prind të mirë?
– Jo, biri im, virusi asht vetëm kasnec.
Tregon që na, njerëzit, mund të bahemi virusë ma të rrezikshëm të planetit.
Por, qysh e din tashma, asnjë virus nuk flet keq për veten.

Sidoqoftë, flej tash se u ba vonë.
Një ditë, shpresoj, do të bahet mirë.
Nuk e di.
Ndoshta virusi do të bahet njeri.
Dhe njeriu virus përsëri. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme