Matanë dashurisë është një lumë

18 Tetor, 2022 - 11:45 am

Sali Bashota

Matanë dashurisë është një lumë
Asnjë ditë nuk i ngjan çastit
Kur shiu luan me heshtjen
Me mijëra herë
Asnjë natë nuk i ngjan dritës së hënës
Kur yjet i bëjnë rojë vetmisë
Me mijëra herë
Kur lumi del nga shtrati i vet
Belbëzojnë dy shpirtra
Dhe zgjohet një ëndërr
Në bregun e përqafimit
Matanë dashurisë është një lumë
Secili i shkruan kujtimet
Të stolisura me gjethe trëndafili
Me mijëra herë
Prapë koten valët
Si tufa e zogjve të mërzitur
Herët në mëngjesin e brengosur
Arratisen frymëzimet e etura
Me mijëra herë
Matanë dashurisë është një lumë

( Prishtinë, 18 tetor 2022) / KultPlus.com

Të ngjajshme