Mbrëmje xhazi

10 Nëntor, 2019 - 11:00 am

Poezi nga Bujar Meholli

(pasazhe humoristike)

I

Qe bërë goxha kohë prej
se e dashura ime me shoqet e saj
i kishin hyrë aventurës së shopingut
derisa unë si një tuhaf i vërtet e prisja…
Po prisja në qoshen e kafenesë
te ai kolltuk në të cilin shpesh
mendoj se do të më zërë vdekja…
Lexova një pjesë të mirë
të librit “Udhëtim në Garabanjën e madhe”
dhe mora pjesë si dëshmitar
kur dy kamerierët u ndeshën
dhe i përplasën ushqimet,
qesha me zë,
një zotëri me cilindër në kokë
me dhembje stomaku vej e vinte
afër wc-së
derisa tjetri aty brenda me gjasë po meditonte…
Së fundmi erdhi e dashura ime
veshur ala frënga
më tha se nuk gjeti gjë për shijen e saj,
dhe se donte të shihte në aksh dyqanin.
Duke bërë ajo shoping,
unë planifikoja ta lexoja gjithë
“Komedinë njerëzore”.
Epo femrat duhet t’i…
kënaqim aq sa (si) mundemi.

II

Bobo, ç’ne! Ç’është kjo?
Në kafenenë K paska mbrëmje xhazi?
Rruga e shtruar me gjethe të kuqërremta
dhe qielli me pamje piktoreske
krijonin ambient erotik në qytet.
Ne po ecnim ngadalë krah për krahu.
E pra, vogëlushja ime le të futemi…

III

Ca çuna loznin në kuartet
ritmet më të njohura të xhazit dhe suingut
atje në qosh të kafenesë.
Porsa hymë, jehonin tingujt
e “It don’t mean a thing”.
— Mamma mia! thirra.
Përreth tablotë kubiste t’i merrnin sytë.
E dashura ime lozonjare më sillet
porsi kotele,
derisa ia merr një gajasje të lezetshme porsa bëj kah çunat.
Se prej nga më janë shqepur
pantallonat në vijë të hollë
aty ku mbaron shpina
dhe fillojnë vithet.
E po, ç’rëndësi ka tashmë?
Shijoheshin çastet në maksimum
kur u errësua ndjeshëm vendi
dhe nisi një ritëm xhazi slow.
Më duket se ishte “tea for two” apo tinguj kësisoj.
Lëviznim, kërcenim,
ia kapa duart dhe e ftova
në vallëzim,
munda ta ndjej aromën mistike të floknajës së saj…

IV

“Tenisoni im i ëmbël” më thoshte me zë miklues
dhe fuste gishtat në mjekrën time,
(ç’ndodhte me mua në këtë çast,
s’mund ta them…)
U puthëm paq,
çfarë ndjenje kur i bashkuam gjuhët…,
madje duart e mia
lodruan lirshëm nëpër gjokset e saj…
Tërë kohën ndjeja se diçka s’po
shkonte
megjithëse shijova një palë buzë të ëmbla
dhe lëkurën e butë,
ky “Tenisoni” seç më turbullonte;
kur pushoi muzika dhe u ndezën dritat
u vërtetua gjithçka,
fare pranë meje qe një këngëtare
e njohur xhazi,
pas pak do të performonte,
kushedi se për kë më kishte marrë?
I qeshëm lehtë njëri-tjetrit
derisa e dashura ime me flokët
përpjetë, krejt e acaruar,
mbante një gotë të madhe
që për ca sekonda do të përfundonte
në kokën time… / KultPlus.com

Të ngjajshme