5 Qershor, 2025 - 4:30 pm
Ajne Iberhysaj
Mundohem t’i fshij
çastet e mëzitura,
por ato mbesin diku brenda meje,
në një ishull të trurit
të heshtura,
që marrin frymë nga fryma ime.
I lë aty,
pa zë,
pa dritë,
por ato marrin krahë madhështie
papritur,
marrin vrull
si një lumë vjeshtak.
Kur mendoj se kam harruar,
një kujtim fjollë bore
më përshkon trupin,
ma kafshon shpirtin.
Një çast…
që solli pezm, inat e dhimbje…
e gris në mendje.
E gris copë e copë,
nën një pikë shiu…
…Rivjen me hapa të një fluture,
pa e ditur…
…E pa e kuptuar,
bëhet det brenda syve.
Kthehem
tek ajo copëz e harruar
e paprekur,
e mbështjellë si një fëmijë në gjumë.
E marr me dorë të butë,
i heq rrobat e bëra pis,
dhe kuptoj:
Sa i bukur paska qenë ai çast!
Pse e lashë
të plurosur
në qoshen më të ftohtë të mendjes?
Ikje,
Kthime
të trazuar,
mjegull,
emocione
hyjnë sërish në mua,
jo si dikur,
me hapa hajdutesh,
por si një kujtesë
që u shkri në stinën e harrimit.
Dhe unë…
qëndrova.
Këtu.
Me fatin e heshtur në duar,
përtej mirazhit të pritjes./ KultPlus.com