Më nep ma shumë kurajë

16 Gusht, 2018 - 7:02 pm

Poezi nga Sarandë B. Rugova

Zot!
Ti ma dhe jetën
e bashkë me jetën, ma çove dhëmbjen
buka kenka e shenjtë
e mungesa e saj fort e randë
por, ma t’amel e paska shijen shneta
se çdo gja përskej
M’dhe frutin e bashkë me ta m’fale forcën
M’dhe kambën, por ma mohove hapin
jeta nuk kenka mish
kjo kenka trishtim e lot e molisje
por, jeta kenka edhe g’zim pa fije arsye
Zot!
Ti m’fale fëminë
e bashkë me ta m’nepe nji krevat
për cilin u tërheq si magneti
ajo e pas saj dhe unë
n’sytë e saj t’hidhun prej shkëlqimit
ti m’dhe kurajon
e pas shpine lotët m’rrjedhën
jeta kenka nji çarshafë i bardhë
n’atë bardhësi ku shuhet ngadalë
ajo dhe unë pas saj. /KultPlus.com

Të ngjajshme