9 Qershor, 2025 - 2:14 pm
Edlira Gorreja
Midis tokës dhe qiellit lindem unë
dhe e vërteta ime
e shkruar në hieroglife piramidash dhe lapidare
me ëndrra prej balte dhe me plot gabime …
në një vallëzim planetësh pa nisje dhe pa ndalje,
një pikë uji në univers pa fund, por me ego të madhe.
Midis tokës dhe qiellit frymoj unë dhe një mijë dilema
duke ngritur avione … duke marrë trena
në një fushëbetejë me ardhje dhe me ikje
shtegtar i viseve të ngrohta …
krahë … trup dhe gjoks
i mbushur plot me pritje…
Midis tokës dhe qiellit kotitem unë
duke ndarë kufij, duke valvitur flamuj …
duke ngritur një urë me harqe dhe me drita,
me dashuri të mrrolura, me inate të kripura…
… në një lojë luftërash i zhbërë nga një pikëpyetje
i prerë gjer në kërthizë… fitues dhe në humbje.
Midis tokës dhe qiellit nënshkruaj po unë
një paqe të nëmur, diktuar me forcë dhe me dhunë…
me fije të padukshme, lidhur fatin me ngjyrën e lëkurës
i ikur prej vetes, i mbytur prej zhurmës,
në një rrotullim pas rrotullimi, ngecur rreth njëri-tjetrit
në bark të sheshtë ngjizur jetën në tokë dorëzoj të vdekurit.
Midis tokës dhe qiellit endem unë
me ëndrra, shpresë dhe dëshira shumë,
duke prishur një pakt të bërë me veten
duke u grindur me Zotin që fshehur më mban të vërtetën
në një endje të gjatë pa fund dhe pa fillim
me mollën e Adamit në fyt … me gurin e Sizifit mbi shpinë.
Kjo poezi fitoi çmimin e parë në konkursin letrar të Shoqatës së Shkrimtarëve të Lushnjës, ku kryetar i Jurisë ishte prof. A. Vinca./ KultPlus.com