Migjeni: Xhamiat dhe kishat madhështore ndër vende të mjerueme

13 Tetor, 2021 - 12:57 pm

Poezia “Blasfemi” nga Migjeni, poezia e ndaluar dy herë nga qarkullimi, më 1936 dhe më 1944.

Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime tona,
e lutjet pa kuptim e shije përplasen për muret e tyne
dhe nga këto lutje zemra zotit ende s’iu thye,
por vazhdoi të rrahi ndër lodra dhe kumbona.

Xhamiat dhe kishat madhshtore ndër vende të mjerueme…
Kumbonaret dhe minaret e nalta mbi shtëpia tona përdhecke…
Zani i hoxhës dhe i priftit në një kangë të degjenerueme…
0 pikturë ideale, e vjetër një mijë vjeçe!

Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime të fetarve.
Tingujt e kumbonës ngatrrohen me zanin e kasnecit,
Shkëlqen shejtnia mbi zhguna dhe ndër mjekra të hoxhallarve
0, sa engjuj të bukur përpara derës së ferrit!

Mbi kështjellat mijvjeçare qëndrojnë sorrat e smueme,
krahët i kanë varë pa shpresë-simbojt e shpresave të humbune
me klithma të dëshprueme bajnë fjalë mbi jetë të pëmdueme,
kur kështjellat mijvjeçare si xhixha shkëlqejshin të lumtuna. / KultPlus.com

Të ngjajshme