Mos guxo të hysh brenda meje, Kasandra

3 Dhjetor, 2018 - 8:30 pm

Poezi nga Fatos Arapi.

Mos eja në ëndërr, Kasandra.
Nuk jam ndonjë krye-hero, apo gjysmë-zot.
Kockat e mia si shkarpa thyhen:
as Trojën e bardhë, as veten t’ime,
nuk e mbroj dot.
Mos guxo të hysh brenda meje Kasandra,
Putrat e buta do të çahen
Nëpër qelqe shpresash gënjeshtare.
Një demon i vjetër i theu tek unë.
Jam vetëm një flutur nate
Që përpëlitet e digjet
Rreth kandilit të zbehtë të lirisë.
Ngadhnues fitoresh të humbura,
Gjak pështyjnë e gulçojnë
Mushkëritë e mia.
Mbylli sytë me dorën e vogël,
Parashiko çfarë të duash
Por mos fol, hyjneshë!

Më tmerrojnë përçartjet e tua, Kasandra.

Lërmë kështu të verbër
Të shkoj drejt fatit tim,
Edhe më të verbër. /KultPlus.com

*Kasandra, e bija e mbretit Priam dhe Hekubës. Kasandra u mallkua nga Hyu Apollo: asaj ju dha dhuntia e parashikimit të së ardhmes, por me kushtin që askush nuk do ta besonte.

* Kjo poezi është shkëputur nga libri i fundit i Fatos Arapit, Një buzëqeshje e pabesueshme. Botuar në vitin 2010.

Të ngjajshme