Mos u zhduk

18 Mars, 2018 - 5:00 pm

Poezi e shkruar nga Yevgeny Yevtushenko.
Përktheu: Visar Zhiti.

Mos u zhduk… Duke u zhdukur nga mua,
e ç’mishëruar vetvetes ju zhduke.

Vetja jote kështu u tradhëtua
me pandershmëri prostitute.

Mos u zhduk… Të zhdukesh është lehtë,
të ringjallesh për tjetrin s’ka se si.

Vdekja të tërheq shumë thellë,
të vdesësh nuk është mënçuri.

Mos u zhduk. Harro hijen e tretë.
S’ka të tretë. Dy janë dashurive.

Bashkë do shkojmë në gjyqin e shenjtë,
kur gjaku t’na thërrasë për përgjigje.

Mos u zhduk… e kemi shlyer mëkatin,
fajtorë s’jemi ne, as damkosur.

Të denjë jemi unë dhe ti për të falur
në-mos-dashje ç’kemi plagosur.

Mos u zhduk. Të zhdukesh është çast,
por si do takohemi nëpër shekuj?

Ç’sozi kemi në botë, ti fantazmë
dhe unë? – Fëmijët tanë të qeshur.

Mos u zhduk. Jepma dorën tënde,
në të jam shkruar unë – i besoj sekretit.

Dashuria e fundit është e tmerrshme,
S’është dashuri, por frikë e humbjes së tjetrit.

Të ngjajshme