‘Ne jemi fëmijët e epokës dhe epoka jonë është politike’

13 Nëntor, 2018 - 2:30 pm

Fëmijët e Epokës

Poezi e shkruar nga Wisława Szymborska.
Përkthyer nga Alket Çani

Ne jemi fëmijët e epokës,
dhe epoka jonë është politike.
Të gjitha të tuat, tonat, tuajat,
aktivitetet e përditshme a të përnatshme,
janë aktivitete politike.
Do apo s’do,
genet e tua kanë një të kaluar politike,
lëkura jote ka një ngjyrë politike,
dhe sytë e tu kanë një aspekt politik.
Fjalët e tua kanë një jehonë,
dhe heshtjet e tua
kanë domethënie politike.
Edhe nëpër fusha dhe pyje,
ti bën hapa politikë,
mbi një bazë politike.
Dhe politike janë edhe poezitë apolitike,
teksa atje lart ndriçon hëna,
që nuk është më një objekt i pastër hënor.
Të jesh apo të mos jesh është çështja.
Domethënë, çfarë çështje, përgjigjmu mik i dashur,
një çështje sidoqoftë politike.
Ti madje s’ke nevojë të jesh as njeri
për të fituar rëndësi politike.
Mjafton të jesh prodhim i ushqyeshëm,
apo lëndë e riciklueshme.
Mjafton të jesh naftë,
qoftë edhe në një tryezë negociatash,
për formën e së cilës kanë debatuar me muaj,
në ç’tryezë do ta bëjmë bisedën,
në tryezë rrumbullake apo katrore!
Dhe në këtë tryezë diskutohet,
për jetën dhe për vdekjen
ndërkohë njerëzit vdesin
kafshët ngordhin
shtëpitë digjen
dhe fushat mbushen me driza,
si në epokat e qëmotshme,
edhe më pak politike.

Të ngjajshme