Ne, vajzat, bijat, motrat…

28 Shtator, 2022 - 2:42 pm

Poezi nga Nerimane Kamberi

Ne, vajzat, bijat, motrat,
dalim rrugëve, shesheve,
të fshatrave, të qyteteve,
bërtasim,
kur trupi na vritet,
I yni, i saj.
Jo, nuk heshtim
Ne, bijat e nënëve tona,
E nënat e bijave tona,
çohemi e bërtasim
kur për një gërshetë,
na pritet koka.
Prejmë flokët
se duan të na e prejnë gjuhën,
dalim e bërtasim,
e s’mund të na ndalin.
Vallëzojmë,
kur një trup i lirë vallëzon,
dhe e qeshin, e përqeshin.
Jo, s’mund të na ndalin.
Si vullkani, zgjohemi,
përnjëhere,
plot furi,
derdhim mllefin që vlon si lava.
Vërshojmë vendin
si një lum
që nuk mund të ndalet.
Jo, s’mund të na ndalin,
Ne, vajzat, bijat, motrat,
nxjerrim thonjtë,
nxjerrim sy,
Për vajzat, bijat, motrat tona.
Kur ju çoheni atje,
Ne çohemi këtu,
Se ju do të çoheni atje,
Kur ne çohemi këtu. /KultPlus.com

Të ngjajshme