Nën kët diell ndodh gjithçka

13 Qershor, 2018 - 9:15 pm

Pier Kolond

Nën kët diell,
sot,
ndodh gjithçka.
Toka rrotullohet
pa dijtë ça po bàhet.
Lulet hapin ganxhet
e i hjedhin prap.
Burrat bàhen tapë
për me kalue kohen.
Varzat porsi yje
shesin mish të njomë,
në çdo njiqind metra.

Nën kët diell
të zbehtë
Gra me cica t’shfryme
rreken me i njomë
me jargë fmijsh të ùnshëm.
Politikanë kameleonë
i ndrrojnë bojë kmishës
simbas klientelës.
Në tv shesin buzqeshje.

Nën kët diell
të ftoftë
Makiaveli hyp në fron
Akulli shkrihet me raki
në mungesë të zjarmit.
Sy të lodhun prej ndershmnisë
(fjalë prozaike),
i kërkojnë ndihmë
gjumit hipokrit.
Akulli i shpirtit
shkrihet me urrejtje.
Zjarmi i dashnisë
ka dhànë dorheqjen.

Nën kët diell
që s’àsht ma diell;
Në kët botë të ndytë
gjithfar t’zezash shef me sy.
Ku je nisë
o njeri?!
Drita s’asht në varreza.
Qielli kjan.
Ta kputë shpirtin
vaji i tij.
Por ti zhytesh në të zeza.
E ti diell,
që s’je mà diell
pse nuk xen?
Pse rrin kot,
atje në qiell?
Ku e ke zjarmin e dikurshëm?
Cou prej gjumit
e shif me sy
Ca po ndodh këtu,
nën ty.

Të ngjajshme