Nesër nuk do të shkruaj poezi për luftën

28 Prill, 2022 - 4:03 pm

Nga Sali Bashota

(Në Ditën e të Pagjeturve)

Nesër nuk do të shkruaj poezi për luftën
Të gjitha fjalët i ka marrë era
Nëse për luftën thuhet se fiton më i forti
Këtu nuk vdiset si dikur
As për dorëshkrimet e djegura nuk do të shkruaj
Nuk mjafton vetëm ndjesia e përkujtimit
Sot poetët nuk veshen me të bardha
Sot gratë e Dukagjinit veshen me të zeza
Në secilën shtëpi jeton nga një dhimbje
Nesër nuk do të shkruaj poezi për luftën
Ndoshta më askush nuk i dëgjon engjëjt
As kur fillon as kur përfundon pikëllimi
Ëndrra qenka më e dashur se sytë e ballit
Kur çdo ditë pika i bie trishtimit
Të pagjumët nuk e duan më natën
As hëna nuk i duron më yjet në qiell
Nuk ka vend për zogjtë e përmallimit
As për fluturat e lumtura
Këtu nuk vdiset si dikur
Mbas shtegtimit vjen një zjarr tjetër
Derisa protestojnë edhe epitafet për mungesën e varreve
Kur i hapim sytë i mbyllim portat e frikës
Secili i kujton etjet për një pikë ujë
Si dridhjet e klithmave të rrëzuara
Pa e njohur kurrë fundin e ikjes
Në udhëtimin e hijeve të nëmura
Ekspozohen fotografitë e tmerrit
Këtu nuk vdiset si dikur
Nesër nuk do të shkruaj poezi për eksodin
Ofshama e nënave shndërrohet në shpirtra të gjallë
Më lehtë është të vdesësh se t’i harrosh të pagjeturit
Për jetën luftojnë të gjitha gjallesat
Edhe gjarpërinjtë nën gurë
Nesër nuk do të shkruaj poezi për luftën

(Prishtinë, më 27 prill 2022) / KultPlus.com

Të ngjajshme